Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës u mbajt një ligjëratë nga përfaqësues të kompanisë MUNDA Kosova: Rilind Bislimi, menaxher i prodhimit, Ensar Topanica, drejtor i sektorit të cilësisë së prodhimit, dhe Elona Hajzeraj, përfaqësuese e nga sektori i burimeve njerëzore.
E veçanta e kësaj ligjërate ishte fakti se përfaqësuesit e kompanisë janë inxhinierë të diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, aty ku u formësuan profesionalisht si inxhinierë dhe nga ku filluan rrugëtimin e tyre drejt industrisë.
Para studentëve të FIM-it, ata ndanë përvojat e tyre profesionale dhe prezantuan veprimtarinë e kompanisë MUNDA Kosova, e cila operon në fushën e industrisë automobilistike, me fokus në prodhimin e komponenteve tekstile me ndriçim për automjete.
Gjatë ligjëratës u trajtuan tema që lidhen me proceset e prodhimit, kontrollin e cilësisë, aplikimin e njohurive inxhinierike në industri, si dhe rëndësinë e lidhjes ndërmjet arsimit akademik dhe tregut të punës.
Ligjërata u përcoll me interesim të veçantë nga studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, të cilët përmes pyetjeve të tyre nxitën debat dhe diskutim rreth rolit të inxhinierëve mekanikë në industri, mundësive për zhvillim profesional dhe rëndësisë së përgatitjes praktike gjatë studimeve.
Përfaqësuesit e kompanisë i njoftuan studentët se mund të aplikojnë për praktikë profesionale dhe punësim përmes web-faqes zyrtare të MUNDA-s. Me këtë rast, studentëve iu dhanë informacione të hollësishme rreth publikimit të konkurseve, mënyrës së informimit për pozitat e hapura, si dhe hapave që duhet të ndjekin gjatë procesit të aplikimit.
Ky aktivitet dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet fakultetit dhe industrisë, si dhe rolin e alumni-ve të FIM-it në ndërtimin e urave ndërmjet dijes akademike dhe praktikës profesionale. Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike mbetet i përkushtuar të ofrojë hapësirë për aktivitete të tilla, të cilat i afrojnë studentët me zhvillimet reale të industrisë dhe me perspektivat e tyre të ardhshme profesionale.



