Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike nderoi me trofe Shkollën e Mesme të Lartë Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, me rastin e ditës së shkollës.
Drejtoresha e shkollës, znj. Florentina Gjergjaj, u nderua me këtë mirënjohje nga dekani i FIM, prof. Mirlind Bruçi, për bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet dy institucioneve dhe për angazhimin kreativ në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë së arsimit në këtë institucion.
Gjatë vizitës, ishte kënaqësi e veçantë të bashkëbisedohej me nxënës inovativë, të cilët prezantuan idetë dhe krijimet e tyre teknike përmes një ekspozite të hapur. Veçanërisht mbresëlënëse ishin projektet nga fusha e makinerisë, të zhvilluara nga nxënësit me përkrahjen dhe mentorimin e inxhinierëve të diplomuar në UP-FIM: Sylë Bajrami, Dukagjin Doli, Haki Hulaj, Genta Arifaj Shabani, Leonita Loshaj, Lorenta Mataj, Besnik Tabaku, Fatmir Gjoshi dhe Berat Bobi.
Përveç prezantimit të punimeve inovative, nxënësit dhe profesorët kishin përgatitur një skenë të ndërtuar me shumë përkushtim në stilin barok, e cila u pasurua më tej nga performanca të suksesshme artistike të nxënësve.

