Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Prof. Mirlind Bruçi së bashku me prodekanët, Prof. Arlinda Alimehaj Rrecaj dhe Prof. Xhevahir Bajrami, realizuan një takim zyrtar me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht me z. Arsim Tahiri, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Sprovues, dhe znj. Fusharza Mulaj Kelmendi, Udhëheqëse e Divizionit Rajonal.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e vendosjes së bashkëpunimit institucional ndërmjet Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Shërbimit Sprovues, përmes hartimit të një Memorandumi të Bashkëpunimit. Ky memorandum synon të definojë format e bashkëpunimit të veçantë ndërmjet institucioneve, me fokus në shkëmbimin e përvojave profesionale, ngritjen e kapaciteteve dhe ofrimin e ekspertizës akademike e profesionale nga ana e FIM-it.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, parashihet që Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike të kontribuojë përmes ofrimit të ekspertizës, trajnimeve dhe mbështetjes profesionale në fusha të caktuara teknike dhe inxhinierike, në përputhje me nevojat institucionale dhe objektivat e përbashkëta të palëve.
Të dyja palët shprehën gatishmërinë për të ndërmarrë hapat e nevojshëm drejt formalizimit të këtij bashkëpunimi, me qëllim të krijimit të një partneriteti të qëndrueshëm dhe me interes të ndërsjellë institucional.

