Vizitë e stafit akademik nga radhët e FIM-së në industrinë Gjermane

04 Maj 2026
SHARE

Me ftesë të Fraunhofer Institute for Machine Tools and Forming Technology IWU në Chemnitz, Gjermani, profesorët Prof. Shpetim Lajqi dhe Prof. Afrim Gjelaj kanë marrë pjesë në një qëndrim shkencor në kuadër të projektit E-Mikro-Mobility-Hub në ketë institut.

Prof. Lajqi dhe Prof. Gjelaj kanë zhvilluar takime dhe diskutime profesionale me stafin e institutit, ndër ta me Alexander Pierer dhe Leutrim Gjakova, si dhe me një grup hulumtuesish shkencorë nga vende të ndryshme të botës, të cilët mbulojnë fusha të ndryshme të inxhinierisë dhe janë të fokusuar në zhvillimin e projekteve inovative për nevojat e industrisë.

Kjo qendër hulumtuese ofron kërkime të avancuara interdisiplinare në fushat e inxhinierisë mekanike, përpunimit me deformim, automobilizmit, mekatronikës, automatizimit dhe teknologjive moderne industriale.

Përmes kësaj vizite janë krijuar ura të reja bashkëpunimi, të cilat pritet të reflektohen pozitivisht në aktivitetin edukativ, hulumtues dhe profesional të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike e falënderon Fraunhofer Institute për realizimin e kësaj vizite shkencore dhe profesionale, si dhe për gatishmërinë e shprehur për të vazhduar thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.