Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike nderon me çmimin “Bashkim Baholli” profesorin e shquar Arbnor Pajaziti me rastin e pensionimit

29 Prill 2026
SHARE

Në një atmosferë të ngrohtë, solemne dhe thellësisht emocionale, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike organizoi sot një ceremoni të veçantë për të nderuar me mirënjohje profesorin e shquar Arbnor Pajaziti, me rastin e pensionimit të tij, duke përmbyllur një karrierë të gjatë dhe të jashtëzakonshme në shërbim të arsimit dhe shkencës.

Ceremonia u hap nga Dekani i Fakultetit, i cili në fjalën e tij përshëndetëse prezantoi biografinë e pasur akademike dhe profesionale të profesor Pajazitit, duke vënë në pah arritjet e tij të shumta dhe ndikimin e tij të qëndrueshëm në zhvillimin e Fakultetit dhe të arsimit inxhinierik në vend. Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, Dekani i dorëzoi profesorit një trofe simbolik, të punuar posaçërisht për këtë rast.

Prof. Pajaziti, i cili për shumë vite ka shërbyer si profesor dhe shef i Departamentit të Mekatronikës, përfaqëson një figurë kyçe në ndërtimin dhe konsolidimin e këtij drejtimi brenda Fakultetit. Kontributi i tij në edukimin e kuadrove të reja, në formimin e gjeneratave të tëra të inxhinierëve, si dhe në avancimin e dijes shkencore, është i jashtëzakonshëm dhe i shumëanshëm.

Ai është autor i një numri të madh librash dhe tekstesh universitare, si dhe i dhjetëra punimeve shkencore të prezantuara në konferenca vendore dhe ndërkombëtare. Veprimtaria e tij kërkimore kurorëzohet edhe me arritje konkrete inovative, ndër të cilat spikat patentimi i një ventilatori mekanik, duke dëshmuar lidhjen e fortë ndërmjet teorisë dhe aplikimit praktik në inxhinieri.

Në këtë ceremoni, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij jetësor, profesor Pajaziti u nderua me çmimin prestigjioz “Profesor Bashkim Baholli”, një mirënjohje që tashmë është shndërruar në traditë të Fakultetit për të nderuar figurat që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme dhe kanë trasuar rrugën e zhvillimit akademik dhe profesional të institucionit.

Me fjalë rasti dhe mirënjohjeje, në emër të Departamentit të Mekatronikës u drejtua edhe prodekani Prof. Xhevahir Bajrami, i cili vlerësoi lart rolin e profesor Pajazitit si koleg, udhëheqës dhe mentor i përkushtuar.

Ceremonia u nderua me praninë e familjarëve të profesorit, kolegëve, studentëve, mysafirëve dhe miqve të shumtë, duke i dhënë kësaj ngjarjeje një dimension edhe më të veçantë njerëzor dhe emocional.

Në të njëjtën ceremoni, me të njëjtin çmim u nderua edhe profesori Nexhat Boshnjaku, një ndër figurat themeluese të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe doktori i parë i shkencave teknike në këtë fushë në Kosovë. Në fjalën e tij, ai shprehu mirënjohjen e thellë për vlerësimin dhe për kujdesin e vazhdueshëm që Fakulteti dhe stafi i tij tregojnë ndaj kontributeve të gjeneratave të mëhershme.

Gjithashtu, gjatë ceremonisë u ndanë mirënjohje për profesorin e Universitetit Politeknik të Tiranës, nga Shqipëria,  Prof. Arian Bisha, për kontributin e tij në zhvillimin e arsimit dhe bashkëpunimit akademik.

Në përmbyllje të ceremonisë, të pranishmit u ftuan në një koktej rasti, i organizuar me përkrahjen e familjes së profesor Arbnor Pajaziti, duke krijuar një hapësirë të ngrohtë për bashkëbisedim, kujtime dhe reflektim mbi një karrierë të jashtëzakonshme.