Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Prof. Mirlind Bruçi, realizoi një vizitë zyrtare në Poloni, ku qëndroi pranë Silesian University of Technology, institucion i vendosur kryesisht në qytetin Gliwice.
Në kuadër të këtij angazhimi zyrtar, Prof. Bruçi zhvilloi një sërë takimesh akademike me profesorë dhe studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Silesian University of Technology, si dhe me përfaqësues të Brno University of Technology. Këto takime shërbyen si platformë për diskutime mbi avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe fuqizimin e lidhjeve akademike ndërkombëtare.
Një nga momentet më të rëndësishme të vizitës ishte takimi me Prof. Marcin Adamiak, dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Silesian University of Technology. Ky takim u zhvillua në funksion të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy fakulteteve dhe institucionalizimit të marrëdhënieve akademike.
Bashkëpunimi i paraparë përfshin një sërë fushash strategjike, ndër të cilat: shkëmbimin akademik të stafit dhe studentëve, ndarjen e përvojave në zhvillimin dhe modernizimin e kurrikulave në fushën e inxhinierisë mekanike, si dhe pjesëmarrjen e përbashkët në projekte kërkimore dhe shkencore ndërkombëtare. Kjo vizitë përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të mëtejshëm të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe rritjes së cilësisë së bashkëpunimit akademik.
Gjatë kësaj vizite, po ashtu u zhvilluan edhe koordinimet për mbajtjen e Konventës Evropiane të Dekanëve të Inxhinierisë, e cila pritet të mbahet në muajin maj të këtij viti.






