Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Prof. Mirlind Bruçi, priti sot në zyrën e tij Gjeneral Lejtnant Agim Çekun, ish Kryeministër i Kosovës, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, në një takim me rëndësi të veçantë për të ardhmen e sektorit të inxhinierisë dhe kontributin e tij në zhvillimin strategjik të vendit.
Qëllimi i këtij takimi ishte zhvillimi i një diskutimi konstruktiv mbi rolin kyç të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe teknologjike, veçanërisht në funksion të ndërtimit dhe avancimit të strategjive të mbrojtjes së vendit. Në këtë kontekst, theks i veçantë iu kushtua nevojës për përforcimin e kompetencave në fushën e makinerisë dhe teknologjive të avancuara.
Gjatë vizitës, Gjenerali Çeku dhe ekipi i tij u njohën nga afër me infrastrukturën akademike dhe kërkimore të fakultetit. Ata patën mundësinë të vizitojnë laboratorët bashkëkohorë dhe pajisjet e specializuara, të cilat mundësojnë zhvillimin e hulumtimeve të avancuara shkencore, me potencial të drejtpërdrejtë për aplikim në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes.
Në vijim të diskutimeve, z. Çeku theksoi se në vendet e zhvilluara, institucionet e arsimit të lartë në fushën e inxhinierisë mekanike përbëjnë partnerë strategjikë të shtetit dhe një nga shtyllat kryesore të zhvillimit kombëtar. Sipas tij, një rol i tillë duhet të konsolidohet edhe nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në kuadër të Universiteti i Prishtinës, duke u pozicionuar si një aktor kyç në mbështetje të politikave dhe strategjive shtetërore.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt intensifikimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijon një bazë solide për zhvillimin e projekteve të përbashkëta me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Në veçanti, bashkëpunimi pritet të fokusohet në iniciativa që ndërlidhen me inovacionin teknologjik, kërkimin shkencor dhe ndërtimin e kapaciteteve në funksion të strategjive të sigurisë dhe mbrojtjes.



