FIM forcon bashkëpunimin ndërkombëtar me Universitetin e Malajzisë në kuadër të projektit Horizon

03 Prill 2026
SHARE

Menaxhmenti i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, në përbërje nga Dekani, Prof. Mirlind Bruçi, Drejtori i Institutit të Fakultetit, Prof. Afrim Gjelaj, Prodekanët Prof. Xhevahir Bajrami si dhe  Prof. Arlinda Alimehaj Rrecaj, sot priti në një takim zyrtar profesoreshën Nur Fedilat Darmasar nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimtarisë i Universitetit të Malajzisë në Sabah, si dhe menaxherin lokal të projektit të përbashkët që po zhvillohet në FIM në kuadër të programit Horizon, Mohd Sefwan Abdullah.

Në këtë vizitë, delegacioni u shoqërua edhe nga profesoreshat nga Malajzia, të cilat tashmë vazhdojnë të qëndrojnë në FIM prej disa muajsh në kuadër të një bashkëpunimi kërkimor në projektin Horizon, ku Kosova – përkatësisht FIM – është partner. Kujtojmë se profesoresha Noremylia Binti Mohd Bakhori (Emy) ka formim akademik në Kimi, me Master në Kimi Analitike dhe PhD në Sensor Technology Engineering, duke sjellë ekspertizë të avancuar në teknologjitë e sensorëve dhe karakterizimin analitik të materialeve, ndërsa Siti Naida BT Mohd Bakhori (Nadia) është PhD në Shkencën e Materialeve (Kompozite), me fokus të theksuar në zhvillimin, projektimin dhe aplikimin e materialeve kompozite të avancuara.

Takimi u zhvillua në frymë bashkëpunimi dhe kishte për qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve në disa drejtime kyçe, përfshirë zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore në fushën e inxhinierisë, shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, avancimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies, si dhe aplikimet e përbashkëta në programe ndërkombëtare si Horizon Europe.