Sot, në një atmosferë entuziazmi dhe bashkëpunimi të ndërsjellë, maturantët e Gjimnazit “Sami Frashëri” të Prishtinës zhvilluan një vizitë të veçantë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike (FIM), duke u pritur nga Dekani, Prof. Mirlind Bruçi, së bashku me menaxhmentin dhe stafin akademik të këtij institucioni.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të fillimit të “Javës së orientimit” me moton “Bëhu Inxhinier”, një iniciativë që synon të afrojë maturantët me mundësitë që ofron arsimi i lartë dhe t’i ndihmojë ata në orientimin e tyre profesional.
Vizita u zhvillua nën udhëheqjen dhe përkujdesjen e psikologes së shkollës, Besarta Murtezaj, duke u ofruar nxënësve një përvojë të drejtpërdrejtë dhe të vlefshme në prag të përfundimit të shkollimit të mesëm.
Gjatë qëndrimit në FIM, nxënësit patën mundësinë të njoftohen nga afër me programet studimore që ofron fakulteti, si dhe me përfitimet konkrete që lidhen me përgatitjen e tyre profesionale në fushën e inxhinierisë mekanike. Përmes prezantimeve dhe bashkëbisedimeve me stafin akademik, ata morën informacione të detajuara rreth mundësive të zhvillimit dhe perspektivës së karrierës.
Një pjesë veçanërisht interesante e vizitës ishte eksplorimi i laboratorëve të FIM, ku maturantët panë nga afër pajisjet bashkëkohore dhe demonstrimet praktike të realizuara nga stafi. Këto përvoja konkrete u mundësuan atyre të kuptojnë më mirë rëndësinë e aplikimit praktik të njohurive dhe zhvillimit të aftësive të nevojshme për profesionet e së ardhmes.




