Një rikthim emocional i brezit të vjetër në FIM

25 Shkurt 2026
SHARE

Këtë fillim javë, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike përjetoi një moment të veçantë e tejet domethënës, ku Dekani i Fakultetit, Prof. Mirlind Bruçi, priti ngrohtësisht znj. Mikereme Vokshi Shala, një nga punëtoret e vjetra dhe të vyera që për vite me radhë ka kontribuar me përkushtim në zyrat e Dekanatit të FIM, rreth 25–30 vite më parë.

Një detaj veçanërisht domethënës i këtij takimi ishte fakti se, në kohën kur znj. Mikereme ka punuar në Dekanat, Prof. Mirlind Bruçi ishte student, e më pas asistent në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike. Sot, e ftuar nga ai në cilësinë e Dekanit të Fakultetit, ajo u ndje e vlerësuar, e respektuar dhe e mbështetur, duke përjetuar një ndjenjë të thellë krenarie dhe përkatësie.

Ky takim shërben si një dëshmi e gjallë e respektit për kontributin e brezave, e mirënjohjes institucionale dhe e vlerave njerëzore që Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike kultivon ndër vite. Znj. Mikereme u largua me emocione të forta dhe me bindjen se puna dhe përkushtimi i saj nuk janë harruar kurrë.