Një ekip akademik nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (FIM), në përbërje të Prof. Asoc. Xhevahir Bajrami, Prof. Asoc. Arlinda Alimehaj Rrecaj dhe As. Rifat Krasniqi, ka qëndruar në Linz, Austri, ku ka ndjekur një trajnim profesional të avancuar në fushën e sigurisë rrugore, me fokus të veçantë në përdorimin e reflektometrit dinamik.
Trajnimi është zhvilluar në bashkëpunim me institucione dhe ekspertë të specializuar në vlerësimin e sinjalizimit rrugor, duke përfshirë metodologjitë moderne të matjes së reflektueshmërisë dhe dukshmërisë së shenjëzimit rrugor, veçanërisht në kushte reale të përdorimit dhe gjatë natës. Reflektometri dinamik përfaqëson një pajisje të teknologjisë së lartë, e cila mundëson matje të vazhdueshme dhe precize të parametrave kyç të kualitetit të sinjalizimit rrugor, si retroreflektanca, uniformiteti dhe degradimi i shenjëzimit në kohë.
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike posedon këtë pajisje në laboratorët e tij, duke qenë institucioni i vetëm në rajon që disponon reflektometrin dinamik të këtij niveli. Kjo e vendos FIM-in në një pozicion strategjik për: zhvillimin dhe avancimin e kërkimit shkencor në fushën e sigurisë rrugore dhe infrastrukturës transportuese, përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, përmes integrimit të metodave dhe pajisjeve bashkëkohore në procesin akademik, ofrimin e shërbimeve profesionale dhe testimeve të specializuara për institucione publike, kompani ndërtimore dhe operatorë të mirëmbajtjes së rrugëve, thellimin e bashkëpunimit me industrinë dhe institucionet përgjegjëse për sigurinë rrugore, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.
Njohuritë dhe përvojat e fituara gjatë këtij trajnimi në Linz do të transferohen drejtpërdrejt në Institutin dhe laboratorët e FIM-it, duke mundësuar aplikimin korrekt dhe efikas të reflektometrit dinamik në projekte kërkimore, studime profesionale dhe analiza teknike të sinjalizimit rrugor. Ky angazhim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve akademike dhe shkencore të FIM-it, si dhe një kontribut konkret në përmirësimin e sigurisë rrugore dhe standardeve të infrastrukturës në rajon.





Video