Sot, në një akt solemn, të mbushur me dinjitet dhe emocione, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Prof. Mirlind Bruçi ia dorëzoi familjarëve të profesorit të ndjerë të Teknologjisë Informative, Prof. Naim Hoxha mirënjohjen institucionale për kontributin e tij të çmuar akademik dhe njerëzor.
Kjo mirënjohje kishte qenë e planifikuar t’i ndahej profesorit Hoxha me rastin e shënimit të 58-vjetorit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, gjatë ceremonisë tradicionale “Dita e FIM”. Megjithëse vlerësimi iu nda zyrtarisht atë ditë, profesori nuk kishte mundur të ishte i pranishëm në ceremoni. Vetëm tre javë më vonë, ai u nda nga jeta, duke lënë pas dhimbje të thellë, por edhe një trashëgimi të paharrueshme profesionale e njerëzore.
Në fjalën e tij, dekani theksoi se profesorë si Naim Hoxha ishin ndër të parët të cilëve u ishte besuar pajisja me dije e gjeneratave, duke ndërtuar themelet e arsimit teknik dhe duke formësuar mendje e karaktere për dekada me radhë. Ai vuri në pah se kontributi i tij nuk matet vetëm me ligjërata e punë shkencore, por me ndikimin e thellë që ka lënë te studentët dhe kolegët dhe impaktit në shoqëri.
Familjarët e profesor Hoxhës e pranuan mirënjohjen me emocione të forta, krenari të heshtur, dhe mirënjohje për një figurë që la gjurmë të pashlyeshme në jetën akademike.
Ky akt dëshmoi se vlerësimi për dijen dhe përkushtimin nuk ndalet me kohën, dhe se emri i profesorit Naim Hoxha do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë dhe kujtesës së Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.
