Punëtori Shkencore në IEEE ICDCS 2026

02 Shkurt 2026
SHARE

Pranimi i Punëtorisë Shkencore në IEEE ICDCS 2026

Me kënaqësi njoftojmë se punëtoria shkencore “3rd Workshop on Engineering Techniques for Distributed Computing Continuum Systems” është pranuar zyrtarisht për t’u mbajtur në kuadër të IEEE 46th International Conference on Distributed Computing Systems (ICDCS 2026), e cila do të zhvillohet në 22-25 Qershor 2026 në Seul, Koreja e Jugut.
 
https://icdcs2026.icdcs.org/

IEEE ICDCS konsiderohet një nga konferencat më prestigjioze dhe më me ndikim në nivel ndërkombëtar në fushën e sistemeve të distribuara dhe teknologjive të avancuara të informatikës, nën organizimin e IEEE. 

Punëtoria është mbajtur me sukses në dy edicionet e mëparshme të kësaj konference dhe këtë vit organizohet për herë të tretë. Në edicionet paraprake ajo është organizuar nga Vienna University of Technology (TU Wien)Stockholm University dhe Pompeu Fabra University (UPF). Për edicionin e tretë, listës së institucioneve organizatore i janë bashkuar Universiteti i Prishtinës (Departamenti i Mekatronikës) dhe University of Klagenfurt.

Pjesëmarrja e Universitetit të Prishtinës si bashkë-organizator në një punëtori të këtij niveli përfaqëson një arritje të jashtëzakonshme akademike dhe shkencore, duke e pozicionuar për herë të parë si bashkë-organizator në një punëtori të IEEE ICDCS. Kjo pjesëmarrje rrit ndjeshëm vizibilitetin ndërkombëtar, prezencën akademike dhe reputacionin shkencor si të Departamentit të Mekatronikës, ashtu edhe të Universitetit të Prishtinës në përgjithësi, duke e pozicionuar atë si partner aktiv në iniciativa kërkimore të nivelit të lartë.

Ftojmë profesionistë, studiues dhe hulumtues që të kontribuojnë me idetë, ekspertizën dhe kërkimet e tyre shkencore në fushën e sistemeve te distribuara. Punëtoria përbën një mundësi të shkëlqyer për të kontribuar në diskursin shkencor, për të ndërtuar bashkëpunime akademike dhe për të prezantuar punën tuaj para një audience të gjerë ndërkombëtare.

Datat e rëndësishme

  • Afati për dorëzim të punimeve (full-text): 20 mars 2026

  • Njoftimi për pranimin e punimeve: 10 prill 2026

  • Dorëzimi i versionit final (camera-ready): 10 maj 2026

Organizatorët

  • Prof. Schahram Dustdar, TU Wien

  • Asst. Prof. Ilir Murturi, University of Prishtina

  • Assoc. Prof. Praveen K. Donta, Stockholm University

  • Asst. Prof. Victor Casamayor Pujol, UPF Barcelona

  • Dr. Reza Farahani, University of Klagenfurt

Më shumë detaje rreth punëtorisë dhe temave mund të gjenden në dosjen e mëposhtëme.

3rd_EDCCS_ICDCS2026