FIM mirëpret profesoreshat nga UTM – bashkëpunim kërkimor tre¬mujor në kuadër të projektit Horizon për materiale të avancuara kompozite

21 Janar 2026
SHARE

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike është bërë vatër e pritjes akademike ndërkombëtare, pasi edhe sot mirëpriti dy profesoreshat nga Universiti Teknologi Malaysia (UTM), të cilat do të qëndrojnë në FIM për një periudhë tremujore në kuadër të një bashkëpunimi kërkimor në projektin Horizon, ku Kosova – përkatësisht FIM – është partner. Profeoresha Noremylia Binti Mohd Bakhori (Emy) ka formim akademik në Kimi, me Master në Kimi Analitike dhe PhD në Sensor Technology Engineering, duke sjellë ekspertizë të avancuar në teknologjitë e sensorëve dhe karakterizimin analitik të materialeve. Ndërsa Siti Naida BT Mohd Bakhori (Nadia) është PhD në Shkencën e Materialeve (Kompozite), me fokus të theksuar në zhvillimin, projektimin dhe aplikimin e materialeve kompozite të avancuara.

Profeoreshat u pritën ngrohtësisht në zyrën e tij nga Dekani i FIM-it, Prof. Mirlind Bruçi, i cili i njoftoi me ambientet akademike, kapacitetet kërkimore dhe infrastrukturën laboratorike të fakultetit. Gjatë takimit, u theksua rëndësia e këtij bashkëpunimi për avancimin e kërkimit shkencor në fushën e materialeve të avancuara dhe për ndërkombëtarizimin e aktiviteteve të FIM-së.

Vizita realizohet në kuadër të një projekti Horizon në fushën e materialeve të avancuara kompozite, ku fokus i veçantë do të jetë kërkimi aplikativ dhe transferimi i njohurive në prodhim dhe inxhinieri. Gjatë qëndrimit të tyre, profesoreshat do të kenë në dispozicion shfrytëzimin e laboratorëve të prodhimit, mekatronikës, si dhe kapaciteteve të tjera teknike të FIM-së për realizimin e aktiviteteve kërkimore dhe eksperimentale.

Dekani Bruçi vlerësoi se ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e rolit të FIM-së si qendër rajonale e ekselencës kërkimore dhe si pikë referimi për studiues e profesorë ndërkombëtarë. Ai theksoi se FIM po konsolidohet gjithnjë e më shumë si destinacion akademik për hulumtim shkencor, duke përmendur se edhe gjatë vitit të kaluar fakulteti ka pritur profesorë ndërkombëtarë në kuadër të bashkëpunimeve të ngjashme kërkimore.

Ky angazhim i ri konfirmon përkushtimin e FIM-së për zhvillimin e kërkimit shkencor, avancimin teknologjik dhe ndërlidhjen e dijes akademike me projektet ndërkombëtare me ndikim të drejtpërdrejtë në inovacion dhe zhvillim industrial.