Takim konsultativ për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të akomodimit akademik

16 Janar 2026
SHARE

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Prof. Dr. Mirlind Bruçi, priti në një takim zyrtar drejtorin e Përgjithshëm të Qendrës së Studentëve, z. Ekrem Rudari, udhëheqësen e Konviktit nr. 5, znj. Dritë Rama si dhe drejtorin e Mensës së Studentëve, z. Fahri Osmani.

Takimi kishte karakter konsultativ dhe u fokusua në thellimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet këtyre strukturave dhe Universitetit të Prishtinës, me theks të veçantë në çështjet që lidhen me qëndrimin dhe akomodimin e studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike. Gjatë diskutimeve u trajtuan temat që ndërlidhen me kapacitetet akomoduese, kushtet infrastrukturore, standardet e shërbimeve për studentë, si dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të tyre.

Në kuadër të takimit u diskutuan gjithashtu edhe mundësitë që Qendra e Studentëve ofron për akomodimin e stafit akademik ndërkombëtar, i cili viziton FIM-in në kuadër të mobilitetit akademik të stafit, programeve të shkëmbimit (exchange), trajnimeve profesionale, si dhe aktiviteteve të tjera akademike dhe shkencore që zhvillohen në kuadër të projekteve ndërkombëtare. Kjo komponentë u vlerësua si element kyç në procesin e ndërkombëtarizimit, avancimit akademik të njësisë, si dhe në rritjen e përfaqësimit dhe reputacionit institucional të FIM-it.

Po ashtu, në takim u theksua se pritet nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve, e cila do të formalizojë dhe strukturojë bashkëpunimin ekzistues në funksion të përmirësimit të kushteve për studentë dhe staf akademik vendor dhe ndërkombëtar.

Në përmbyllje të takimit, dekani Prof. Dr. Mirlind Bruçi i ndau mirënjohje dhe një logo të FIM-it, të punuar nga studentët Drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës së Studentëve, z. Ekrem Rudari për gatishmërinë dhe përkushtimin e treguar në sistemimin dhe mbështetjen e profesorëve dhe studentëve të programeve exchange.