Dekani i FIM, prof Mirlind Bruçi ka zhvilluar një takim pune me një delegacion të Munda në krye me z. Inga Reinbach, Drejtor i Zhvillimit të Produktit të Munda seli në Gjerman. Qëllimi kryesor i takimit ishte shqyrtimi i mundësisë së hapjes së një departamenti të tekstilit në kuadër të FIM, i orientuar posaçërisht drejt nevojave të industrisë automobilistike në BE, me theks të veçantë në tregun gjerman.
Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për harmonizimin e arsimit universitar me kërkesat konkrete të tregut të punës, sidomos në sektorin e tekstilit teknik dhe komponentëve tekstilë për industrinë e automobilave. Z. Reinbach prezantoi nevojat aktuale të industrisë për kuadro të specializuara në fushën e materialeve tekstile, proceseve të avancuara të prodhimit dhe menaxhimit të cilësisë sipas standardeve evropiane.
FIM shprehu gatishmërinë që, në bashkëpunim me kompaninë “Munda” dhe me universitete partnere në BE, të hartojë plane dhe programe të reja studimi që do të orientohen në mënyrë direkte drejt përgatitjes së inxhinierëve të tekstilit për industrinë automobilistike. Në këtë kuadër, u theksua veçanërisht mundësia e përfshirjes së përvojës dhe ndikimit akademik të Universitetit të Aachen-it në Gjermani në dizajnimin e kurrikulave moderne, duke marrë parasysh programet, modulet dhe praktikat më të mira të përdorura në këtë fushë.
Nga ana e FIM u ofrua gjithashtu bashkëpunim i ngushtë për të përshtatur programet studimore edhe me nevojat specifike të tregut kosovar, në mënyrë që kuadrot e reja të jenë të afta të kontribuojnë si në njësitë prodhuese të kompanisë “Munda” në Kosovë, ashtu edhe në industrinë më të gjerë tekstile dhe automobilistike të vendit.
Si rezultat i bisedimeve, z. Reinbach u ftua që të mbajë një ligjëratë të hapur me stafin akademik dhe studentët e FIM, ku do të prezantohen trendët aktualë në industrinë e tekstilit, aplikimet e tekstilit në industrinë e automobilave, si dhe përvoja konkrete nga industria në Kosovë dhe në vendet e BE. Kjo ligjëratë pritet të shërbejë si pikënisje për definimin më të saktë të kompetencave profesionale që duhet të fitohen përmes programeve të reja studimore.
Përvoja profesionale e z. Inga Reinbach është kryesisht e ndërlidhur me industrinë e tekstilit në Gjermani dhe Zvicër, si dhe me industrinë ushtarake në disa vende të Bashkimit Evropian. Ai ka punuar për vite me radhë në zhvillimin e produkteve tekstile me performancë të lartë, në procese inovative të prodhimit dhe në integrimin e kërkesave të sigurisë dhe cilësisë që kërkohen në sektorin ushtarak dhe atë automobilistik. Kjo e bën atë një burim të çmuar ekspertize për definimin e profileve të reja profesionale që i nevojiten tregut.
Gjatë takimit u theksua gjithashtu se në kompaninë “Munda” në Kosovë, një pjesë e punonjësve inxhinierë janë të diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë. Ky fakt dëshmon se cilësia e arsimit të ofruar nga FIM tashmë është e pranishme në industrinë vendore dhe se ekziston një bazë reale për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.