Në ambientet e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, menaxhmenti i fakultetit, në krye me dekanin prof. Mirlind Bruçi, priti në takim një delegacion nga Universiti Teknologi Malaysia, Kuala Lumpur, gjegjësisht nga Fakulteti i Inteligjencës Artificiale. Delegacioni përbëhej nga profesorët Muhamed Zaki Bin Hassan, Mohamad Syazli Fathi dhe Mohd Yusof Md Daud, nga Departamenti i Smart Engineering të këtij Fakulteti.
Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit në projektin Horizon në fushën e additive manufacturing, ku Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike është partner, si dhe në funksion të zgjerimit dhe forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve dhe fakulteteve përkatëse. Gjatë diskutimit u theksua rëndësia e rritjes së cilësisë së studimeve dhe avancimit të programeve studimore, u shqyrtuan mundësitë konkrete për shkëmbim akademik të stafit dhe të studentëve, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe aplikative, si dhe intensifikimin e aktiviteteve të tjera të përbashkëta akademike dhe shkencore. Në ditët në vijim pritet të formalizohet edhe një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Fakultetit të Inteligjencës Artificiale të Universiti Teknologi Malaysia.
Palët shprehën gatishmërinë e plotë për të vazhduar dhe zgjeruar bashkëpunimin, me qëllim krijimin e mundësive të reja për zhvillim akademik, shkencor dhe profesional, si dhe për të kontribuar në rritjen e konkurrueshmërisë së të dy institucioneve në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.
