Në mbledhjen e fundit, Senati i Universitetit të Prishtinës ka miratuar unanimisht angazhimin e Prof. Ilir Murturi në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, në Departamentin e Mekatronikës, përmes programit “Brain Gain”.
Ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve akademike dhe kërkimore të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe të Universitetit të Prishtinës në tërësi.
Angazhimi i Prof. Ilir Murturi pritet të kontribuojë në ngritjen e mëtejshme të cilësisë së mësimdhënies, zhvillimin e kërkimit shkencor si dhe në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Programi “Brain Gain” synon kthimin dhe integrimin e ekspertëve shqiptarë nga diaspora në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, duke sjellë përvoja bashkëkohore dhe praktika të avancuara akademike.
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike e mirëpret këtë vendim dhe i uron mirëseardhje Prof. Ilir Murturi, me bindjen se angazhimi i tij do të jetë në dobi të studentëve, stafit akademik dhe zhvillimit të mëtejmë të fakultetit.