Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet FIM dhe Administratës Tatimore të Kosovës

13 Nëntor 2025
SHARE

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Prof. Mirlind Bruçi, së bashku me prodekanët Xhevahir Bajrami dhe Arlinda Alimehaj-Rrecaj, zhvilluan një takim zyrtar me Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), z. Mentor Hyseni, në ambientet e ATK-së.

Qëllimi i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe identifikimi i fushave të përbashkëta të interesit në funksion të zhvillimit profesional dhe akademik. Palët diskutuan për nevojën e formalizimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi që do të mundësonte organizimin e praktikave profesionale për studentët e FIM-it, duke krijuar kështu mundësi konkrete për përfitimin e përvojës së drejtpërdrejtë në fushën e administrimit tatimor dhe teknologjive të zbatueshme në këtë sektor.

Gjithashtu, u trajtuan mundësitë për organizimin e sesioneve informuese dhe punëtorive profesionale nga ATK për studentët dhe stafin akademik, si dhe inkuadrimin e ekspertizës së stafit të fakultetit në projekte që kanë të bëjnë me automatizimin, digjitalizimin, përmirësimin e proceseve dhe mbështetjen teknike në detyrimet tatimore të bizneseve dhe ndërmarrjeve.