Më 5 maj 2025, studentët e Kolegjit Profesional Gjerman të Teknologjisë (KPGJT) në Tiranë, të shoqëruar nga profesorët Arian Bisha dhe Jorgaq Kaçani, zhvilluan një vizitë zyrtare në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike (FIM). Gjatë kësaj vizite, delegacioni nga KPGJT u prit me ngrohtësi nga dekani i FIM, prof. Mirlind Bruçi, së bashku me stafin akademik të fakultetit.
Studentët patën rastin të njihen nga afër me ambientet dhe infrastrukturën moderne të fakultetit, duke përfshirë laboratorët e pajisur me teknologjitë më bashkëkohore në fushën e inxhinierisë mekanike. Vizita shërbeu si një platformë e vlefshme për shkëmbim përvojash dhe diskutime mbi praktikat më të mira akademike dhe teknike që përdoren në dy institucionet.
Vizitat ndërinstitucionale të këtij karakteri janë tejet të rëndësishme për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve. Ato nxisin një mjedis bashkëpunues, ku studentët mund të zgjerojnë horizontet e tyre intelektuale, të njihen me teknologji dhe qasje të ndryshme në mësimdhënie, si dhe të përvetësojnë përvoja praktike jashtë kurrikulës së zakonshme.
Për më tepër, këto iniciativa hapin rrugën për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri dhe Kosovë, duke promovuar partneritete afatgjata në kërkimin shkencor, projekte të përbashkëta dhe shkëmbim të stafit akademik.







