Në ditën ne lindjes së tij Profesor Buza nderohet me mirënjohjen për arritje jetësore “Prof.Dr. Bashkim Baholli”

14 Nëntor 2024
SHARE

Më 13 nëntor 2024, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Profesori i nderuar Shaban Buza në një ceremoni rasti,  u nderua  me mirënjohjen për arritje jetësore “Prof.Dr. Bashkim Baholli”, të cilën ia dhuroi personalisht profesori Baholli.

Në ditën e lindjes së tij, profesor Buza si laureati i parë mori këtë çmim të veçantë për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në arsimimin e gjeneratave të tëra në FIM. Ky çmim është një vlerësim i punës së palodhshme, përkushtimit dhe energjisë pozitive që profesori ka bartur për vite me radhë, duke qenë një shtyllë e rëndësishme e arsimimit dhe ngritjes së cilësisë së mësimdhënies.

Profesori Buza, ka pasur një ndikim të pashoq në rritjen e cilësisë së arsimit dhe zhvillimin e metodave inovative të mësimdhënies, duke kontribuar në avancimin e shumë brezave që kanë pasuar.

Kjo ceremoni u zhvillua me praninë e një grupi të spikatur profesorësh eminentë nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në avancimin e dijes dhe zhvillimin e arsimit në universitetet dhe fakultetet teknike të të dy vendeve, të familjarëve të profesorit Buza, në prani të studentëve dhe punonjësve të FIM.

Profesori Baholli, emrin e të cilit e bartë mirënjohja, përmes një fjale rasti me plot emocione shprehu mirënjohjen e thellë për nderin që i është bërë në këtë rast. Mes tjerash shtoi se Kosova dhe Shqipëria kanë një histori të gjatë të bashkëpunimit dhe solidaritetit, dhe është e rëndësishme që këtë bashkëpunim ta përforcojnë edhe në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Ndërkohë që të dy vendet ndajnë një trashëgimi të përbashkët kulturore dhe historike, është koha që të forcojnë lidhjet e tyre në fushën e arsimit dhe shkencës, duke e çuar përpara këtë aspiratë për ngritjen e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe kombëtar.

Ndarja e mirënjohjes është tradicionale, ndahet njëherë në vit dhe personaliteti i propozuar përzgjidhet nga Komisioni i formuar nga Këshilli i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.