FIM nënshkruan memorandume mirëkuptimi me ABSL Kosova dhe Next Gen Networks (NGN)

11 Mars 2025
SHARE

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike (FIM), Mirlind Bruçi, nënshkroi në një takim të përbashkët dy memorandume mirëkuptimi me kompanitë ABSL Kosova dhe Next Gen Networks (NGN). Ky veprim është pjesë e një iniciative të koordinuar nga RECONOMY. RECONOMY është një program zhvillimi ekonomik gjithëpërfshirës dhe i gjelbër i Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), i zbatuar nga HELVETAS Swiss Intercooperation në Partneritetin Lindor dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Këto memorandume janë një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit mes institucioneve arsimore dhe sektorit privat në rajon, dhe shprehin angazhimin për zhvillimin e aftësive dhe mundësive të reja për studentët dhe profesionistët në fushat e inxhinierisë dhe teknologjisë.

ABSL Kosova është pjesë e një nisme rajonale që synon t'i hapë rrugën Shoqatave të Liderëve të Shërbimeve të Biznesit (ABSL) në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar kështu në forcimin e lidhjeve ndërmjet sektorit të shërbimeve dhe zhvillimit të aftësive profesionale në këtë fushë. Ky bashkëpunim është një mundësi për rritjen e konkurrencës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të shërbimeve në rajon.

Next Gen Networks (NGN) është një institut që ka si synim ndërtimin e kapacitetit të të rinjve, organizatave dhe individëve në fushën e telekomunikacionit. Një nga shtyllat kryesore në të cilën është themeluar NGN bazohet kryesisht në përfshirjen dhe ndërtimin e kapaciteteve të studentëve të inxhinierisë dhe studentëve të shkollave të mesme profesionale teknike, me qëllim që të fuqizohet lidhja me tregun e punësimit për të ardhmen. Ky fokus është thelbësor për zhvillimin e aftësive të reja dhe përgatitjen e studentëve për sfidat e tregut të punës në fushat teknologjike dhe telekomunikative