Njoftim për përfundimin e projektit hulumtues nga studentet e TH Royal Institute of Technology, Suedi, Pilot studimi për instalimin e Moduleve Fotovoltaike në Universitetin e Prishtinës

09 Nëntor 2020
SHARE

Studenti BSc. Mergim Jakupi dhe BSc. Maxwell Minotta Cuervo tani të diplomuar në KTH Royal Institute of Technology i cili është njeri prej Universiteteve Teknike me të njohuara në Suedi, i ranguar në top listën e 100 universiteteve me të mira në botë kanë përfunduar me sukses projektin e tyre të Punimit të Diplomës në nivelin Bachelor me titull “Potenciali i Energjisë Solare në Kosovë - Pilot studimi për instalimin e moduleve Fotovoltaike në Universitetin e Prishtinës”.

Studentet BSc. Mergim Jakupi dhe BSc. Maxwell Minotta Cuervo kanë qenë përfitues të bursës nga KTH-ja për realizimin e projektit të tyre në Kosovë të mbikëqyrur nga Prof. Dr. Nelson Sommerfeldt, KTH, Stokholm ndërsa në Kosovë nga Prof. Asoc. Dr. Shpetim Lajqi, FIM-UP.

Për  shkak të pandemisë Globale COVID-19, studentëve ju pamundësua ardhja në Kosovë, por falë bashkëpunimit të ngushtë me personelin e FIM-UP kanë arritur ti marrin informatat e duhura si: të dhënat në kohë reale nga stacioni metrologjik i vendosur në Laboratorin e Burimeve të Energjisë së Ripërtërishme - FIM, informata mbi konsumin e energjisë elektrike nga FIM+FIKE dhe FNA, vizatimet e kulmit të Objektit të Laboratorëve të Fakulteteve Teknike, kushtet teknike për kyçje në rrjetin e KEDS-i, informata nga ZRRE-ja, intervista, etj. Këto informata dhe intervista ju kanë mundësuar përfundimin me sukses të hulumtimit të tyre 1 vjeçar. 

Këto rezultate të studimit do të jenë të dobishme për Menaxhmentin e UP-es dhe Menaxhmentet e Fakulteteve Teknike që të bëjnë implementimin e këtij projekti dhe projekteve tjera përmes instalimit të moduleve Solare në hapësirën e Kampusit të Universitetit të Prishtinës respektivisht në kulmin e objektit të Laboratorëve të Fakulteteve Teknike duke mundësuar zvogëlimin e faturave të energjisë elektrike dhe ruajtjen e mjedisit jetësor.

Përmbledhja e Punimit të Diplomës krahas gjuhës Angleze dhe Suedeze është dhënë edhe në gjuhën Shqipe. Punimi i plotë mund të shkarkohet në link-un:  http://kth.diva-portal.org/smash/get/diva2:1476743/FULLTEXT01.pdf

PËRMBAJTJA E STUDIMIT:

Studimi ka treguar se përqindja e shfrytëzimit të energjisë diellore në Kosovë është shumë e ulët me një pjesëmarrje prej rreth 1% kundrejt energjive tjera (thëngjilli, era dhe uji). Me rastin e rritjes së përdorimit të energjisë diellore, Kosova do të ketë përfitime të mëdha në rritjen e mirëqenies ekonomike dhe sociale dhe përmirësimin e shëndetit për popullatën.

Qëllimi i këtij studimit ka të bëjë me instalimin e një sistemi optimal fotovoltaik (PV) në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për gjenerimin e energjisë elektrike duke i hulumtuar ndikimet e mundshme teknike, sociale dhe ekonomike me rastin e zbatimit të projektit.

Pilot projekti është simuluar në softuerin SAM (System Advisor Model) për llogaritjen e të e energjisë së gjeneruar dhe përfitimet e UP-es nga instalimi i moduleve PV me skema të ndryshme rregullative. Gjithashtu janë dhënë informacione mbi strukturat rregullative në Kosovë dhe vendet e tjera evropiane me qëllim të identifikimit të pengesave dhe tendencave që në të ardhmen të zhvillohen me shumë përdorimi i Burimeve të Energjisë së Ripërtëritshme.

Rezultatet kanë treguar se instalimi i moduleve fotovoltaike në kulmet e objekteve të UP-es paraqesin veprimtari fitimprurës dhe periudha e kthimit të investimit është e shkurtër në të gjitha skemat e provuara rregullative. Në skenarin e parë bazë me 2 pika matëse x 100 kWp =  200 kWp, i cili ndjek politikat aktuale të ZRRE me kufizime të kapaciteteve të lejuar prej 100 kWp për një pikë matëse, do të mbulohen 60% e faturave vjetore të energjisë elektrike që i paguan UP-ja.

Ndërsa në dy skenarët tjera shtesë, është bërë simulimi i rastit ku kapaciteti instalues është me i lartë prej 298.49 kWp duke përfshirë gjithë sipërfaqen e kulmit dhe duke i larguar sipërfaqet hije. Sistemi prej 298.49 kWp ka dhënë prodhimin më të lartë të energjisë elektrike dhe mund të mbulojë rreth 80% të faturave të energjisë elektrike që i paguan UP-ja. 

Rezultatet nga simulimet e të gjitha modeleve së bashku me studimin cilësor arrijnë në përfundim se kostoja dhe potenciali teknik për energjinë diellore është fitim prurëse dhe i realizueshëm

Ky studim tregon se përveç faktorëve socio-ekonomikë siç janë mundësitëe punësimit dhe beneficioneve shëndetësore, energjia diellore mund të jetë një alternativë e mirë konkurruese e energjisë në krahasim me format aktuale të gjenerimit të energjisë në Kosovë.