Promovimi i librit “Komforti Termik” nga Akademik Fejzullah Krasniqi dhe Prof. dr. Rexhep Selimaj

30 Qershor 2021
SHARE

Akademia e shkencave dhe e Arteve të Kosovës më 28.06.2021 në ora 11.00 promovoi librin me titull “Komfori termik” të autorëve Akademik Fejzullah Krasniqi dhe Prof. dr. Rexhep Selimaj, profesorë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.  
Materiali i paraqitur në këtë vepër paraqet një gërshetim të disa fushave duke përfshirë të dhënat për parametrat e klimës së jashtme, strukturën e ndërtimit të objekteve dhe teknologjitë që duhet aplikuar me qëllim të ruajtjes të parametrave të projektuar të klimës së brendshme, të cilët janë me ndikim në mirëqenien, shëndetin, përkatësisht në komforin termik të njeriut, si dhe në zhvillimin e proceseve teknologjike në ndërmarrje të ndryshme prodhuese.
Kështu që në kuadër të librit komfori termik janë përfshirë analiza dhe modele teorike dhe praktike për parametrat e rrethinës – ambientit, parametrat e veshjes dhe parametrat fiziologjik duke potencuar rëndësinë dhe përparësitë e ruajtjes së kushteve të komfortit termik në mjedise të ndryshme si në: ndërmarrje dhe zyra, dyqane dhe supermarkete, industri, salla teatri dhe kinemaje, holle mbledhjesh, objekte banesore, shkolla, spitale, në industrinë e tekstilit, të filmit, të duhanit, të letrës, në shtypshkronja, muze, etj.
Kjo vepër ka rëndësi  jo vetëm për informimin teorik e praktik të studentëve, inxhinierëve, e hulumtuesve të rinj të kësaj fushe por edhe për zgjidhjen edhe të problemeve më të ndërlikuara shkencore që lidhen me kushtet e komfortit termik në përgjithësi dhe me kushtet e parametrave të jashtëm projektues të klimës së Republikës së Kosovës në veçanti.
Rezultatet e hulumtimeve të pasqyruara në këtë vepër shkencore nga autorët me një përvojë të  gjatë e mjaftë cilësore  hulumtuese në këtë fushë, vetëm sa e rrisin  besueshmërinë për saktësinë e tyre.