Termokos ndan Bursa për studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike

30 Maj 2023
SHARE

“Ngrohtorja e qytetit të Prishtinës Termokos në bazë të marrëveshjes me Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike ka ndarë 15 bursa për studentët e FIM- UP.

Në ceremoninë e ndarjes së bursave kanë marrë pjesë rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, kryetari i Komunës së Prishtinës z. Përparim Rama, kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos”, z. Fisnik Osmani, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, prof. dr. Ahmet Shala, anëtarë të Këshillit Drejtues dhe prorektorë të UP-së, prodekanët e FIM, si dhe studentët përfitues të bursave.

Rektori Qerimi ka përshëndetur këtë iniciativë të NP “Termokos”, për ndarjen e bursave për studentët e UP-së.  Ai u nda optimist se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tutje në funksion të rritjes së cilësisë në arsim dhe ndërlidhjes së industrisë me universitetin.

E kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama ka shprehur kënaqësinë e tij, që ngrohtorja e qytetit, përveç sukseseve në operim e zgjerim të rrjetit të ngrohjes, kësaj here është nismëtare e një kontributi tjetër, siç është ndarja e këtyre bursave.

Se kjo nismë planifikohet të shndërrohet në tradicionale tha kryeshefi ekzekutiv i NP “Termokos” z.Fisnik Osmani. Ai tha që duke ndihmuar studentët, që të përgatiten sa më mirë për rrugëtimin e mëtutjeshëm, dëshirojnë të japin edhe një shembull të mirë e konkret të bashkëpunimit.

Ndërkaq, dekani i FIM-it, prof. dr. Ahmet Shala, falënderoi “Termokos” për ndarje të bursave, teksa u shpreh i hapur që bashkëpunimi të vazhdoj edhe në vitet në vijim, duke përfshirë edhe më shumë studentë.