Prezantimi i motorit të garave të punuar nga studentët e Mekatronikës

    Sot është bërë dorëzimi i motorit për gara i cili është dizajnuar dhe ndërtuar në kuadër të projektit “Ndërtimi i Prototipit të motorit për gara për pjesëmarrje në kompeticionin MotoStudents”. Pjesëmarrës të këtij projekti janë studentët Durim Gashi, Bujar Llugaliu, Valdrin Berisha, Agron Statovci, Gurim Gashi, Egzon Zymberi, Albulena Govori dhe Uresa Mustafa, nën mbikëqyrjen e Prof. Dr. Arbnor Pajaziti dhe MSc. Rinor Berisha.

    Me këtë motor studentët e sipër përmendur kanë qenë të përgatitur të marrin pjesë në garat ndërkombëtare ”Moto Engineering Foundation”, në vitin 2018 në Spanjë, por fatkeqësisht nuk kanë mundur të pajisen me viza për shkaqe të njohura.

    Rektorati i Universitetit të Prishtinës ”Hasan Prishtina” e ka mbështetur financiarisht këtë projekt. Gjithashtu projektin në fjalë e kanë mbështetur edhe disa kompani të vendit dhe jashtë.

    Ky projekt ka për qëllim që studentët të shpalosin njohuritë e tyre të fituara nga universiteti, duke dizajnuar dhe zhvilluar një motor real, duke përfshirë projektimin, zhvillimin dhe prodhimin e një motoçiklete prototip për gara, e cila është vlerësuar dhe testuar edhe nga Motorland Aragonit FIM Circuit.

    Të shpresojmë që vitin e ardhshëm të na mundësohet pjesëmarrja në garat që organizohen nga TechnoPark Motorland, Spanjë, ku marrin pjesë universitete nga e gjithë bota.

    Datë 12.7.2020