Konkurs për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve themelore- baçelor në vitin akademik 2015/2016

    Universiteti i Prishtinës, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2015/2016, do të regjistrojë 7880 studentë, prej të cilëve 7330 studentë të rregullt dhe 550 studentë me korrespondencë.
    Si shtesë e numrit si më sipër, Universiteti do të regjistrojë edhe 370 studentë të rregullt nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe 328 studentë nga komunitetet jo-shumicë: boshnjakë, turq, romë, ashkali, egjiptianë dhe kroat. Në programet ku nuk janë paraparë kuota të veçanta për kandidatë nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, kandidatët kanë të drejtë konkurrimi në kushte të njëjta me kandidatët nga Kosova.
    Mbi bazë të konsideratave humane, Universiteti i Prishtinës rezervon të drejtën e pranimit të kandidatëve me nevoja të veçanta.
    Të drejtë pranimi në Universitetin e Prishtinës kanë të gjithë kandidatët kosovarë, të cilët e kanë përfunduar me sukses shkollën e mesme në Kosovë apo jashtë Kosovës dhe e kanë diplomën për shkollimin e kryer.
    Në Universitet mund të pranohen edhe studentët nga shtetet e tjera, në bazë të kuotave të përcaktuara nga MASHT-i.
    Kandidatë jo-kosovarë konsiderohen kandidatët të cilët shkollimin e mesëm e kanë mbaruar jashtë Kosovës dhe me rastin e paraqitjes në konkurs, duhet të verifikohet njohja e institucionit shkollor në bazë të listës së MASHT-it e cila i’u dorëzohet të gjitha njësive akademike.
    Njohja e diplomave për institucionet jashtë Kosovës do të verifikohet nga zyra për zhvillim akademik e cila gjendet në Fakultetin Filozofik, kati II nr.107.
    Kandidatët të cilët kanë të regjistruar një program studimi në cilindo nivel të studimit në kuadër të Universitetit të Prishtinës nuk kanë të drejtë konkurrimi në program tjetër studimi në UP pa përfunduar studimet në programin ku janë duke vijuar studimet ose pa u çregjistruar nga programi aktual i studimeve.
    Kandidatët për pranim si student të UP-së në vitin akademik 2015/16 nuk mund të konkurrojnë më shumë se në një fakultet, departament, drejtim apo program.

    E DREJTA E ANKESËS DHE AFATI PËR ANKESË

    Kandidatët të cilët nuk janë pranuar mund t’i paraqesin ankesë fakultetit përkatës më së largu 48 orë pas publikimit të rezultateve. Pas këtij afati, ankesat nuk do të pranohen. Shqyrtimi i ankesave bëhet nga Komisioni për shqyrtimin e ankesave nga fakulteti përkatës.
    Kandidatët të cilët nuk janë pranuar, mund t’i tërheqin dokumentet e tyre në fakultetin përkatës nga data 3.8.2015 deri më 7.8.2015.

    MËNYRA E PËRZGJEDHJES SË KANDIDATËVE

    I. Përzgjedhja e kandidatëve për të gjitha fakultetet do të bëhet sipas kritereve si në vijim:
    a. Për nxënësit që kanë diplomë për kryerjen e shkollës së mesme e nuk kanë pasur provim të maturës:
    Numri maksimal i pikëve sipas kritereve vijuese është 100 pikë, dhe atë:
    - Suksesi në shkollën e mesme deri në 20 pikë; dhe
    - Suksesi në provim pranues deri në 80 pikë.
    b. Për nxënësit që kanë diplomë për kryerjen e shkollës së mesme dhe e kanë dhënë me sukses provimin e maturës:
    Numri maksimal i pikëve sipas kritereve vijuese është 100 pikë, dhe atë:
    - Suksesi në shkollën e mesme deri në 20 pikë;
    - Suksesi në maturë deri në 50 pikë; dhe
    - Suksesi në provimin pranues deri në 30 pikë.
    Secila dëftesë e shkollës së mesme të lartë vlerësohet mbi bazën e suksesit më së shumti me pesë pikë.
    Të drejtë radhitjeje, përkatësisht pranimi kanë vetëm kandidatët që arrijnë 40% nga numri i pikëve të parapara për provim pranues.
    Kandidatët të cilët nuk arrijnë 40% nga numri i pikëve të parapara për provim pranues nuk mund të pranohen edhe nëse mbeten vende të paplotësuara sipas konkursit.
    Fakultetet e organizojnë mbajtjen e provimit pranues në më së shumti tri lëndë mësimore, të cilat i caktojnë vetë fakultetet.
    Fakultetet me specifika të veçanta organizojnë provim praktik në lëndë dhe disiplina përkatëse.
    Nëse numri i pikëve te disa kandidatë është i barabartë, zgjedhja e kandidatëve do të bëhet në bazë të suksesit të provimit pranues.
    Fakultetet janë të obliguara që listën e kandidatëve, të cilët kanë konkurruar, t’ia dërgojnë Rektoratit të Universitetit dhe ta publikojnë në ueb-faqen e Fakultetit.
    Për funksionimin e departamentit, seksionit, degës, drejtimit ose programit të fakultetit është i nevojshëm numri minimal prej 20 studentëve, përveç Fakultetit të Arteve, ku grupi mund të formohet edhe me më pak studentë.
    Regjistrimi i studentëve të pranuar në vitin e parë bëhet në Administratën Qendrore të Universitetit, sipas orarit të përcaktuar me këtë konkurs.

    AFATET E KONKURSIT

    Për regjistrimin e studentëve në vitin e parë të studimeve, oraret do të jenë si në vijim:
    1. Paraqitja e dokumenteve zgjatë prej datës 08. 7. 2015 deri më 16. 7. 2015 në ora 16.00 (dokumentet do të pranohen çdo ditë me përjashtim të dielave).
    2. Ditën e parë të konkursit, me datë 08.7.2015, aplikimi online do të funksionalizohet nga ora 10.00, ndërsa pranimi i dokumentacionit në njësitë akademike do të fillojë nga ora 13.00.
    Me rastin e paraqitjes, kandidatët duhet t’i sjellin këto dokumente:
    - Certifikatën e lindjes (origjinal),
    - Dëftesat e të gjitha klasave të shkollës së mesme (origjinal ose të noterizuara),
    - Diplomën e kryerjes së shkollës së mesme ose dëftesën e maturës, nëse ka pasur provim të
    maturës (origjinal ose të noterizuar),
    - Kopjen e letërnjoftimit,
    - Fletëparaqitja e plotësuar shkarkohet gjatë aplikimit online nga interneti: Vegza (Linku) për konkurrim online përmes Internetit është: http://apliko.uni-pr.edu
    - Pagesën prej 2.5 Euro. Forma e pagesës shkarkohet dhe shtypet nga ueb-faqja e Universitetit të Prishtinës, ndërsa pagesa bëhet në bankë,
    - Vendimin mbi njohjen e shkollimit jashtë vendit,
    Njoftimet dhe oraret për vendin ku do të mbahen provimet pranuese mund të merren në fakultetet përkatëse, si dhe në ueb-faqet e këtyre fakulteteve. Datat e mbajtjes së provimeve pranuese në fakultetet e ndryshme janë të shpallura në vijim:
    3. Provimi pranues do të mbahet më 20. 7. 2015 dhe 21.7.2015 sipas orarit si në vijim:
    1. Fakulteti Filozofik 20.7.2015 në ora 9.00
    2. Fakulteti i SHMN 20.7.2015 në ora 9.00
    3. Fakulteti i Filologjisë 20.7.2015 në ora 9.00
    4. Fakulteti i Juridik 20.7.2015 në ora 9.00
    5. Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës 20.7.2015 në ora 9.00
    6. Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike 20.7.2015 në ora 11.00
    7. Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike 20.7.2015 në ora 11.00
    8. Fakulteti i Arteve të Bukura 20.7.2015 në ora 9.00
    9. Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinës 20.7.2015 në ora 9.00
    10. Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit 20.7.2015 në ora 9.00
    11. Fakulteti i Edukimit 20.7.2015 në ora 9.00
    12. FSHA-Ferizaj 20.7.2015 në ora 9.00
    13. Fakulteti Ekonomik 21.7.2015 në ora 9.00
    14. Fakulteti i Mjekësisë 21.7.2015 në ora 9.00.

    - Të gjithë kandidatët në provim pranues duhet ta posedojnë letërnjoftimin, pa të cilën nuk mund t’i nënshtrohen provimit pranues.
    - Në kohën e mbajtjes së provimit pranues ndalohet përdorimi i telefonave celularë!
    3. Shpallja e rezultateve të provimit pranues do të bëhet, më së voni, deri më 23.7.2015 në fakultetet përkatëse si dhe në ueb-faqen e fakultetit përkatës.

    Kandidatëve u rekomandohet që para paraqitjes në konkurs të bëjnë kopje të mjaftueshme të dokumenteve, sepse dokumentet origjinale nuk do të mund t’i tërheqin deri në diplomim apo çregjistrim nga fakulteti.
    Në departamentet, degët, drejtimet ose programet ku nuk plotësohet numri i kandidatëve të paraparë me këtë konkurs, do të shpallet konkurs plotësues.
    Për informata më të hollësishme, kandidatët mund t’u drejtohen fakulteteve përkatëse ose ta vizitojnë faqen e internetit: www.uni-pr.edu
    4. Regjistrimi i kandidatëve të pranuar do të bëhet sipas fakulteteve prej 29.7. 2015 deri më 31.7.2015, sipas këtij orari:
    - Fakulteti Filozofik më 29. 7. 2015 prej orës 9:00 - 15:00 në Fakultetin Filozofik,
    - Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë 29. 7. 2015 prej orës 9:00 - 15:00 në Fakultetin Filozofik
    - Fakulteti i Arteve të Bukura më 29. 7. 2015 prej orës 9:00 - 15:00 në Fakultetin Filozofik
    - Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore më 29. 7. 2015 prej orës 9:00 - 15:00, në Amfiteatrin e Fizikës së FSHMN-së;
    - Fakulteti i Filologjisë më 29. 7. 2015 prej orës 9:00 - 15:00, në Amfiteatrin e Fizikës së FSHMN-së;
    - Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit më 29. 7. 2015 prej orës 9:00 - 15:00, në Amfiteatrin e Fizikës së FSHMN-së;
    - Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Fakulteti i Mjekësisë më 30. 7. 2015, prej orës 9:00 -15:00 në Fakultetet teknike;
    - Fakulteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj më 30.7. 2015, prej orës 10:00 -14:00 në FSHA në Ferizaj.
    - Fakulteti Juridik më 31. 7. 2015 prej orës 9:00 - 15:00, në Amfiteatrin e Fakultetit Juridik;
    - Fakulteti Ekonomik më 31. 7. 2015, prej orës 9:00 -15:00 në Amfiteatrin e Fakultetit Ekonomik;
    - Fakulteti i Edukimit më 31. 7. 2015 prej orës 9:00 - 15:00, në Amfiteatrin e Fakultetit Juridik

    Kandidatët të cilët nuk kanë arritur që të regjistrohen brenda afateve të përcaktuara si më sipër, mund të regjistrohen prej 1.9.2015 deri më 25.9.2015. Jashtë këtij afati kandidatët e pranuar nuk do të mund të regjistrohen, prandaj luteni që t’i përmbaheni afatit të lartshënuar.
    Kandidatët e pranuar për regjistrim duhet të paraqesin:
    1. Fletëregjistrimin e plotësuar, i cili merret me rastin e regjistrimit,
    2. Dy fotografi (formati 4.5 x 6 cm), të cilat duhet të jenë sipas normave dhe rregullave për dokumente personale.
    3. Studentët shtetas të Republikës së Kosovës që fillojnë studimet në Universitetin e Prishtinës, vitin e parë të studimeve e kanë falas.
    4. Pagesa për një semestër për studentë që nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës, do të jetë në lartësi prej 25 € për studime të rregullta, respektivisht 125 € për studime me korrespondencë.
    Pagesa bëhet në njërën prej bankave afariste me fletëparaqitje për pagesë, e cila shkarkohet dhe shtypet nga Ueb faqja Universitetit të Prishtinës.

    Për të parë numrin e studentëve që do të regjistroj Universiteti i Prishtinës nëpër fakultete shkarkoni konkursin e plotë këtu.


Arkiva e lajmeve

«mars»
MaEnPrShDi
22 232425262728
12 34 567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930311234