Informacion për studimet pasuniversitare

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, duke u nisur nga kërkesat dhe nevojat vetanake dhe të ekonomisë së Kosovës, për kuadër të ri të specializuar dhe të avancuar të profileve të shkencave makinerike, duke pasur parasysh pengesat e shumta materiale, ose edhe të natyrës tjetër të kuadrit të ri për t’u  shkolluar në qendrat e tjera universitare, si dhe përvojën, mundësitë dhe nivelin shkencor të arritur të kuadrit mësimor vetanak, vendosi të hapë studime pasuniversitare.
         Studimet pasuniversitare u hapën, për herë të parë, në vitin akademik 1988-89. Studimet u organizuan në tri profile: makineri prodhuese, makineri termoenergjetikë e termoteknikë dhe konstruksione makinerike dhe mekanizim.
         Në brezin e parë të këtyre studimeve u regjistruan 75 kandidatë (nga 25 në secilin profil studimor), në dy gjuhët mësimore-shqip e serbokroatisht. Kandidatët e regjistruar ishin, kryesisht, studentë të dalluar, që kishin diplomuar në këtë fakultet.
         Plan programet për studimet pasuniversitare kanë pësuar ndryshime në vitin 1998 dhe me sistemin e ri të studimeve të përshtatur sipas Konventës së Bolonjës (2002).
         Programi gjithëpërfshirës për shkallë shkencore të magjistraturës në inxhinierinë mekanike është përpjekje për t’u siguruar të gjithë atyre studentëve të inxhinierisë mekanikë që kanë të përbashkëta studimet bazë, si dhe fushat e studimit bazë në  studimet e vitit të parë dhe të vitit të dytë të studimeve. Gjatë studimeve, në vitin e dytë, studentët duhet të zgjedhin  fushat e specializimeve.
         Komisioni për Punë Shkencore e propozon kursin, ose paketë-kursin të kompletuar, duke i krahasuar  paraprakisht programet  e universiteteve të tjera,  ndërsa  Këshilli i Fakultetit vendos miratimin e tyre.
         Kërkimet e punimit të magjistraturës në këtë fakultet, bëhen me qëllim të arrihen suksese të reja teorike, që do të gjenin zbatim në industrinë e Kosovës.
         Në Fakultet zhvillohej puna në këto fusha kërkimore: teknologjia e prodhimtarisë, automatizimi i proceseve prodhuese, teknika e ngrohjes dhe termoenergjetika, pajisjet procesore, konstruksionet makinerike, automjetet, disenjimi dhe  robotika.
         Kurse, synimi i programit të doktoratës është të përgatiten kuadro inxhinierike për  udhëheqës në industri dhe edukatorë për fushat e ndryshme shkencore të inxhinierisë mekanike. Kjo do të ishte shtytje e posaçme në aspektin teorik e teknik si dhe përfshirje në masë të theksueshme e menaxhimit dhe e zhvillimit. Po ashtu ky program u ofron kandidatëve  të doktoratës mundësi për të zhvilluar  përvojën e studimit  në  fushë përkatëse të inxhinierisë mekanike.
         Puna kërkimore, në suaza të disertacionit të doktoratës, sikur edhe te punimi i magjistraturës, udhëhiqet nën mbikëqyrjen e profesorit të  departamentit  përkatës dhe të dy e më shumë anëtarëve të tjerë të komisionit, së paku njëri prej të cilëve duhet të jetë anëtar i depatamentit përkatës të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.
         Studimet pasuniversitare dhe punën e Komisionit për Punë Shkencore, për afro pesëmbëdhjetë vjet, e  kishte udhëhequr Prof. Dr. Ismajl Gojani, ndërsa nga viti 2004 këtë detyrë e ka kryer Prof. Dr. Xhevat Perjuci dhe me pas Prof. Dr. Nijazi Ibrahimi.

Planprogramet mësimore të studimeve pasuniversitare

Disertacionet e doktoratave të Stafit Akademik