Historiku i Fakultetit

     Themelet e studimeve teknike, pra edhe të atyre të makinerisë, u vunë me hapjen eShkollës së Lartë Teknike të Prishtinës, më 20 tetor 1961. Në gjirin e saj kjo shkollë kishte tri drejtime: Makinerinë, Elektroteknikën dhe Ndërtimtarinë. Pas katër vjetësh punë të suksesshme të Shkollës së Lartë Teknike filloi procedura e hapjes së Fakultetit Teknik të Prishtinës. Kjo u bë duke marrë parasysh kërkesat e kohës, nevojat e mëdha, si dhe rëndësinë e shkollimit të kuadrove të profileve të ndryshme teknike për zhvillimin më të shpejtë të industrisë së Kosovës. Në vitin 1965 u hap Fakulteti Teknik vetëm me Seksionin e Ndërtimtarisë. Mësimi në këtë fakultet filloi më 9 dhjetor 1965 me 138 studentë të regjistruar, të cilëve u jepnin mësim 5 mësimdhënës dhe 5 asistentë. Mësimi zhvillohej në dy salla me nga 40 ulëse dhe në një amfiteatër me 200 vende. Më 30 tetor 1967 Pleqësia e Fakultetit Teknik vendosi që të hapeshin Seksioni i Makinerisë dhe ai i Elektroteknikës, duke zhvilluar mësimin në ndërtesën e një kazerme ushtarake.

     Historiku i zhvillimit të veprimtarisë mësimore-shkencore në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike mund të ndahet në gjashtë faza, që karakterizohen me disa specifika:

     Faza e para (1967-1979) përfshin periudhën prej themelimit deri në vitin 1979, kur Fakulteti Teknik u transformua në tri organizata themelore të punës së bashkuar.

     Faza e dytë (1979-1988) përfshin periudhën pas konstituimit të Makinerisë deri në pavarësimin e plotë, ndarjen e Fakultetit Teknik në tri fakultete: Makineri, Ndërtimtari dhe Elektroteknikë.

     Faza e tretë e zhvillimit (1988-1991) fillon me pavarësimin e këtij fakulteti dhe zgjat deri atëherë kur me dhunë policore (faza kur u suprimua autonomia e Kosovës) u morën lokalet e Fakultetit.

     Faza e katërt (1991-1998) ishte kur me vendim të organeve të Republikës së Kosovës dhe të Universitetit të Prishtinës mësimi duhej të organizohej nëpër shtëpi dhe lokale të tjera private dhe vazhdoi deri më 1998, kur personeli dhe studentët e këtij fakulteti u kthyen në lokalet e tyre.

     Faza e pestë (1998-2001) përfshin punën e këtij fakulteti në kushte të luftës dhe të pasluftës-me një ndërprerje të procesit mësimor për tre muaj (fundi i marsit deri në gjysmën e dytë të qershorit 1999).

     Ndërsa faza e gjashtë (2001-2010) dhe e fundit përfshin punën në rrethana të reformimit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, duke u mbështetur në Konventën e Bolonjës, përkatësisht ristrukturimin akademik.

     Që nga themelimi i Universitetit të Prishtinës, krahas bashkëpunimit me fakultetet e ish-republikave jugosllave, bashkëpunimi më i frytshëm u zhvillua me Universitetin Shtetëror të Tiranës, atëherë kur në vitet '70 mësimi zhvillohej plotësisht në gjuhën shqipe edhe në Fakultetin e Makinerisë. Nga Shqipëria ligjërata mbajtën pedagogët: Adnan Qatipi, Bashkim Baholli, Burhan Jukniu,Fehmi Shehi, Hysen Agolli, Ismail Demneri, Luan Voshtina, Marenglen Gjonaj,Pullumb Karaulli, Ruzhdi Karapici, Tahir Haxhiymeri, Thanas Gaçe dhe Zyhdi Caslli.

     Në vitin 1982 Fakulteti i Makinerise kaloi në objekt të ri, që ishte dedikuar vetëm për nevoja të Makinerisë, në një sipërfaqe prej 16 hektarësh dhe me hapësirë pune prej 11.455 m2.

     Derisa në vitin akademik 1978-79 Fakulteti i Makinerise kishte gjithsej 16 mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë në marrëdhënie të rregullt pune (11 prej tyre shqiptarë-dy docentë, një ligjërues e tetë asistentë), në vitin 1987-88 ishin 56 (38 shqiptarë-një profesor ordinar, një profesor inordinar 4 docentë, 16 ligjërues dhe 16 bashkëpunëtorë) dhe të angazhuar edhe 29 mësimdhënës ose bashkëpunëtorë në punë plotësuese. Edhe numri i studentve në këtë fazë u rrit shumë; derisa viti akademik 1978-79 kishte gjithsej 3.262 studentë (prej tyre 2.153 ose 66% në gjuhën shqipe), në vitin 1987-88 kishte 4.906 (3.746 ose 76,35% shqiptarë).

     Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, sikur edhe Universiteti i Prishtinës në përgjithësi, është përfshirë në organizimin e studimeve themelore dhe pasdiplomike në tri nivele: Bachelor, Master dhe Doktoratë, në sistemin 3 + 2 + 3.

     Deri më sot, në Fakultetin e Inxhinierise Mekanike diplomuan 2011 studentë, duke përfshirë këtu sipas programit të vjetër -1.764, programit Bachelor - 221 dhe Master - 26, magjistruan 46 dhe doktoruan 29 kandidatë.

     Në vitin akademik 2009/10 Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike ka 1.203 studentë; niveli Bachelor (1090) dhe nivelin Master (113).

     Në vitin akademik 2009/10 Fakulteti i Inxhinierise Mekanike ka 42 mësimdhënës në marrëdhënie të rregullt pune dhe 34 të angazhuar.