Sistemet e Energjisë së Ripërtëritshme

     Programi Sistemet e Energjisë së Ripërtërishme synon të ju ofrojë studentëve mundësinë përvetësimit të njohurive dhe shkathtësive themelore në fushën e burimeve të ripërtërishme të energjisë si dhe kualifikimin e nevojshëm për tu futur në tregun e punës. Më tej programi i propozuar synon:
 - Të shërbej si platformë ndërlidhëse e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike me Fakultetet e lëmisë së njëjtë të Evropës,
 - Ti kontribuoj ekonomisë vendore kuadër të kualifikuar në fushën e burimeve të ripërtërishme të energjisë
 - Ti përgatisë studentët për studime të mëtejme në këtë fushë.

     Në dy deceniet e fundit, vendet më të industrializuara të botës kanë ndërmarrë një varg masash ligjore dhe institucionale për sigurimin e një furnizimi të qëndrueshëm me energji edhe për gjeneratat e ardhshme. Si nënshkruese e Traktatit të Komunitetit për Energji, Institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë një varg masash ligjore dhe institucionale për arritjen e caqeve energjetike të caktuara nga Bashkimi Evropian. Njëri prej këtyre caqeve është që deri në vitin 2020, 20 % e energjisë elektrike të prodhohet nga burimet e ripërtërishme. Kjo mund të arrihet vetëm nëse krahas masave ligjore dhe institucionale, zhvillohet edhe potenciali profesional vendor në fushën e burimeve të ripërtërishme të energjisë. Rrjedhimisht, Fakulteti i Inxhinerisë Mekanike propozon programin Sistemet e energjisë së ripërtërishme për studimet e nivelit Bachelor dhe formimin e departamentit përkatës për implementimin e këtij programi.


     Studimet në Sistemet e energjisë së ripërtërishme janë të organizuara në formën e cila u mundëson studentëve fitimin e njohurive teorike dhe praktike të domosdoshme për inkuadrimin e tyre sa më të lehtë në këtë lëmi shumë aktuale. Në dy semestrat e parë të studimeve në këtë drejtim studentët mësojnë njohuritë bazike të Inxhinierisë Mekanike Në dy semestrat e vitit të dytë parashihet të dëgjohen grupi i lëndëve të cilat do tu mundësojnë studentëve thellimin e bazave të fituara në vitin paraprak dhe përgatitjen për përvetësimin e njohurive dhe shkathtësive profesionale në vitin e tretë. Në fazën e fundit të studimeve, studentët do të përmbyllin përvetësimin e njohurive dhe shkathtësive nga lëndët e ngushta profesionale. Në vitin e fundit studentët do të kenë gjithashtu mundësinë që krahas praktikës së obligueshme profesionale ti demonstrojnë njohuritë dhe shkathtësitë e fituara në punë konkrete projektuese.
     Me qëllim të fitimit të njohurive praktike, parashihet organizimi i vizitave studimore në teren ku studentët do të kenë mundësi të njihen me praktikat e sistemeve të instaluara me energji të ripërtërishme. Gjithashtu vizitat studimore do të organizohen me qëllim të kryerjes së matjeve fushore të nevojshme për vlerësimin e potencialit të shfrytëzimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë.


     Kosova ndodhet në procesin e reformimit dhe ristrukturimit të sektorit të energjisë në përputhje me direktivat e BE-së. Në këtë kuadër, në sektorin privat dhe shtetëror të punës, viteve fundit është shtuar dukshëm kërkesa për ekspert të burimeve të ripërtërishme të energjisë. Aktualisht, në mungesë të ekspertëve përkatës, kompanitë që operojnë në fushën e instalimit por edhe të projektimit së sistemeve të energjisë së ripërtërishme janë të detyruar ti riaftësojnë inxhinierët e profileve tjera për mbulimin e nevojave të tyre për kuadër profesional.
     Bazuar në trendin aktual i cili tregon një rritje të vazhdueshme të investimeve në sektorin e burimeve të ripërtërishme, supozohet që shumica e inxhinerëve menjëherë pas përfundimit të studimeve në programin aktualisht të propozuar do të mund të punësohen në sektorin privat e një pjesë e tyre edhe në atë shtetëror.


     Pas përfundimit të këtyre studimeve në programin e propozuar, inxhinierët do të duhej të:
 - Të kuptojnë natyrën dhe aspektin inxhinierik të formave të shndërrimit të energjisë së ripërtërishme si dhe të posedojnë me njohuri profesionale bazike nga lëmi i shndërrimit dhe përdorimit të energjisë
 - Të mund të vlerësojnë rëndësinë, potencialin dhe dobinë ekonomike të burimeve të ndryshme të ripërtërishme (solare, të erës, gjeotermale, të ujit, biomasës) si dhe integrimin e tyre në sistemin e përgjithshëm energjetik
 - Të mund të analizojnë nga aspekti konstruktiv, energjetik dhe ekonomik koncepte të ndryshme të pajisjeve për shfrytëzimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë
 - Të mund të komunikojnë dhe bashkëpunojnë me profesionistë të lëmive tjera që interferojnë në fushën e energjisë së ripërtërishme
 - Të disponojnë me aftësi punuese të pavarur dhe të përgjegjshme.

     Arritja e objektivave të sipërshënuara do t‘u mundësonte shumë kompanive vendore por edhe rajonale të bëjnë rekrutimin e stafit të nevojshëm me njohuri të mjaftueshme profesionale me qëllim të vazhdimit dhe ngritjes së cilësisë së veprimtarisë së tyre.