Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike mbush 50 vite pune dhe aktiviteti shumë të rëndësishëm në aftësimin e kuadrove të reja nga lëmit e inxhinierisë makinerike, në hulumtimet shkencore dhe mësimore, në bashkëpunimin me ndërmarrjet inxhinierike dhe industriale dhe me institucionet shtetërore dhe publike.
Gjatë kësaj kohe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike ka mbi 1700 Inxhinierë dhe Bachelor të diplomuar, mbi 100 Magjistra të Shkencave Teknike dhe Mastera dhe një numër të konsiderueshëm të Doktorëve të Shkencave.
Stafi akademik është i kualifikuar dhe përbëhet nga 30 profesorë dhe ligjërues, 7 asistentë, 3 laborantë, 34 të angazhuar në punë plotësuese dhe administrata me 8 të punësuar.
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike aktualisht është i ndarë në 7 programe studimore në nivelin Bachelor dhe Master:
- Prodhimtari dhe Automatizim,
- Termoenergjetikë dhe Termoteknikë,
- Konstruksione dhe Mekanizim,
- Komunikacion,
- Mekatronikë,
- Inxhinieri Industriale dhe Menaxhment dhe
- Sistemet e Burimeve të Ripërtërishme.
Fakulteti posedon salla të mësimit të standardeve të larta, salla kompjuterike, 8 laboratore për realizimin e ushtrimeve laboratorike dhe hulumtimeve shkencore, bibliotekën me lidhje të Internetit, etj.
Mësimi realizohet në formë të ligjëratave, ushtrimeve numerike, ushtrimeve laboratorike, vizita mësimore në terren, hulumtime, seminare, etj.